Korçë/ Peleshi: Priten reshje shiu!

Po shfrytëzoj këtë komunikim publik për të njoftuar në kohë, jo për alarm, por gjithsesi për të patur më shumë vëmendje. Duke filluar nga sot pas mesditës edhe gjatë gjithë javës deri në fundjavë, në pjesën veriperëndimore të vendit, rreth Shkodrës, por edhe në pjesën tjetër të vendit, do të kemi rritje të intensitetit të reshjeve.
Do të kemi me intensitet mesatar por diku edhe të lartë. Siç e imagjinoni, arsyeja pse e bëj këtë komunikim publik siç është bërë tani zakon, është të shmangim emergjencat, që në këtë rast mund të jenë lokale. Lajmi i mirë është që jemi në një stinë që nuk favorizon përmbytjet. Nga ana tjetër një lajm tjetër i mirë është mirë menaxhimi i kaskadës, kështu që nuk do të ketë në asnjë moment nevojë për shkarkime. Siç e dini situata rëndohet vetëm kur kemi reshje me intensitet të lartë edhe kur jemi të detyruar të bëjmë shkarkime të kontrolluara në të gjithë kaskadën e Drinit, Fierzës, Komanit dhe Vaun e Dejës.
Në këtë rast, shkarkimet do të jenë zero në të gjithë territorin, pra vetëm intensiteti i përqwndruar në kohë i reshjeve në lokalitete, në pjesën veriperëndimore të vendit, mund të shkaktojnë fryrje të përrenjve dhe ndonjë situatë që mund të bëhet shkak për përmbytje lokale. Shpresojmë që kjo do parandalohet, por gjithsesi nuk është vetëm shpresa, duhet të jetë mobilizim i të gjithë bashkive në radhë të parë, por para bashkive edhe kryepleqtë e fshatrave, banorët, komuniteti, të shmangin lëvizjet në rrugë që kërcënohen nga përrenjtë dhe natyrisht të sinjalizojnë në kohë, nëse ka një rrëshqitje apo një situatë, për të cilën duhet ndërhyrja e strukturave të gjithë sistemit të emergjencave.
Nuk është një situatë e cila mund të na sjellë nevojën për ndërhyrje deri në strukturat e larta qendrore. Menaxhohet lokalisht, por e kemi bërë zakon, e kemi bërë rutinë dhe është një zgjedhje e mirë që të lajmërojmë në kohë, në mënyrë që të marrim masa dhe të shmangim plotësisht dëmtimet, jo e jo në njerëz, por edhe dëmet materiale.