24 Shtator, 2023

Skënderbeu dhe Dinamo mbyllin zyrtarisht llogaritë me inferioren

0

Informacione sportive
Skënderbeu dhe Dinamo mbyllin zyrtarisht llogaritë me inferioren. Dy javë para fundit ka nisur festa në të dyja kampet, pasi matematikisht janë pjesë e elitës.
Vetëm një vit zgjati rrugëtimi i tyre në këtë ligë dhe prej sezonit 2023-2024 do të kthehen aty ku e kanë vendin. Flamurtari është një zhgënjim total. Edhe pse e kishte të vështirë ngjitjen direkte, bëri çudinë. U dorëzua para kohe. U mund nga Tomori dhe lau duart me misionin fillestar dhe kodin e famshëm që Sinan Idrizi iu kishte vënë. I ka mbetur edhe një opsion tashmë, nëpërmjet “play off”-it. Por kjo është një rrugë sa e gjatë, aq edhe delikate. Duhet të kaloje plot tri ndeshje për të prerë një “biletë” në Superiore, gjithnjë nëse ia del. Ka paqartësi totale për rënien. Nëse Tërbuni është përjashtuar dhe Besëlidhja ka mbaruar punë që dy javë më parë, nuk dihet se cilat do të jenë dy ekipet e tjera që do të shkojnë në Kategorinë e Dytë dhe askush do ta ketë shansin të shpëtojë me anë të “play out”-it. Janë 180 minutat finale që do të jenë përcaktuese për të dalë në konkluzione.
Skënderbeu është përfundimisht fantastik. Nuk tregon aspak mëshirë për Turbinën, i shënon 4 gola dhe shkon +8 pikë nga vendi i tretë. Kaq mjafton për të larë duart me të parën, prej nga ra pranverën e shkuar. Dy gola të Abubakar dhe një nga Temitope e Liço, sollën fitoren dhe konfirmuan pathyeshmërinë e skuadrës që prej ditës që drejtohen nga Ivan Gvozdenoviç. Cërrikasit pastaj nuk e kishin forcën që të bënin rezistencë, e megjithatë një lloj shprese për të evituar rënien e kanë ende. Një hap drejt mbijetesës e hodhi edhe Lushnja, që likuidoi Dinamon. Ishte një humbje me leverdi për blutë në fakt. Falë ndalesës së Flamurtarit dhe fitores që marrin “afrofe” javën tjetër me Tërbunin, ngjiten direkt në mesin e më të mirëve. Kryeqytetasit nuk u lodhën shumë me lushnjarët dhe kjo u duk qartë gjatë gjithë ndeshjes, dhe sidomos te goli i dytë. Sidoqoftë, llogaria nuk u prish. Përkundrazi, në fund festuan të gjithë.
Çfarë drame në Vlorë, atje ku fitoi Tomori dhe kapi vendin e 4-t. Flamurtari nuk di të fitojë dhe kjo bën që Diego Longo të meditojë edhe dorëheqjen. Apolonia ekzekutoi për 39 minuta Besëlidhjen. Dhe një kundërshtar të pamotivuar, nuk e kishin të vështirë ta ndëshkonin. Dopieta e Umejiegos dhe rrjeta e Omerit e afrojnë më shumë me ndeshjet ekstra. Në kolaps futet Besa, që e pëson nga Oriku dhe tashmë mund të rrezikojë edhe “play out”-in. Një gol i Kasajt futi në lojë për shpëtimin edhe orikasit. I vetmi barazim erdhi për javën e 24-t në Peshkopi, atje ku u zhvillua derbi i Veriut. Korabi dhe Burreli ndanë pikë, që i kënaq deri diku të dyja palët. Dibranët dorëzuan vendin e katër, por të paktën thelluan rekordin që u zgjat prej dy vitesh në shtëpi. Matjanët janë ende larg mbijetesës, por të paktën po i rrinë larg zonës së kuqe.

About Author

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *