Pogradec/ Policia e qarkut: Jo kultivimit të bimëve narkotike!

Policia e Qarkut Korçë vijon takimet sensibilizuese për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë takimit u diskutua për një bashkëpunim sa më efikas me strukturat e tjera ligjzbatuese dhe me komunitetin, në drejtim të shkëmbimit të informacioneve në kohë reale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Pjesëmarrës në takimin e zhvilluar në njësitë administrative Çërravë dhe Dardhas, ishin Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë Gjovalin Loka, Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec Klodian Kondi, Shefat e Seksioneve për Hetimin e Krimeve dhe Rendin; ndihmës/specialistë të Policimit në Komunitet, kryepleqtë e fshatrave të njësive administrative Çërravë dhe Dardhas dhe banorë të zonës.
DVP Korçë, apelon të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në këtë aktivitet kriminal, pasi do të përballen me forcën e ligjit.