Pusteci një nga zonat më të kërkuara nga turistët

Pusteci dhe 9 fshatrat e tij mbeten zona më e kërkuar nga turistët vendas dhe të huaj. Kjo për bukurinë që të ofron zona dhe artin e kulinarisë që të serviret.
Ky vit ndryshe nga vitet e tjera pritet të ketë më shumë vizitorë kryesisht të huaj përgjatë sezonit turistik. Lupcce Vangjelovski është nga operatorët turistikë të fshatit Pustec, i cili tregon, se këtë vit agjenci të ndryshme turistike kanë shfaqur interes për të sjellë në fshatrat e kësaj bashkie, turistë nga shumë vende të Europës Perëndimore.
Llazo Stojan, historiani i zonës, tregon se turistët vendas, por dhe të huaj janë shumë të interesuar për trashëgimninë kulturore dhe vendet historike të trevës. Më së shumti turistët e huaj kërkojnë të vizitojnë kishën e Maligradit, por edhe kisha të tjera shkëmbore që ndodhen në zonë.
Pjesa më e madhe e turistëve që vizitojnë fshatrat e bashkisë Pustec, ndalen edhe tek shtëpia e Spase Tërpos, që është ndërtesa më e vjetër e kthyer në një muze të vërtetë.
Atje pasqyrohen objekte të ndryshme shtëpiake e bujqësore, deri tek veshje të zonës, që sipas tij pjesa më e madhe i përkasin fund shekullit 19 dhe fillim shekullit 20. Shtëpia ka tre pavjone, përfshi këtu edhe atë të periudhës së komunizmit.
Pavjon që për të huajt ka shumë interes. Problem i turizmit mbetet akomodimi fjetës, pasi nuk ka më shumë se 110 bujtina apo shtëpitë pritëse.