Kurz: Çfarëdo marrëveshje Kosovë-Serbi është e pranueshme për Austrinë

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz tha në Prishtinë se Kosova e Serbia duhet të arrijnë tek një marrëveshje nëse duan të jenë pjesë e familjes evropiane. Krijimi i ushtrisë nuk duhet të shkaktojë destabilizim në rajon.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz tha në Prishtinë, se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut, për qeverinë e tij është e pranueshme. Në Prishtinë Kurz, takoi Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj në takime të ndara dhe që të dyve ua bëri të qartë se “pa një marrëveshje me Serbinë, Kosova nuk ka perspektivë evropiane”.

Kurz: Mbështetje për përpjekjet e Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiq

“Qeveria federale e Austrisë pajtohet me cilëndo marrëveshje, e cila arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra ne jemi të bindur që, nëse ia dalin që të arrihet një marrëveshje, askush nuk do të jetë kundër asaj marrëveshje dhe për këtë arsye nga ana jonë një marrëveshje e tillë do ta ketë mbështetjen e plotë. Mendoj që edhe në kuadër të BE-së, cilado qoftë marrëveshja, korrigjimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve, atëherë kjo mbështetet edhe nga Bashkimi Evropian”, tha Sebastian Kurz.

“Unë dua të jem shumë i qartë që një përafrim me Bashkimin Evropian e një perspektivë evropiane e jep mundësinë për stabilitet, perspektivë paqe në mënyrë afatgjatë dhe të qëndrueshme dhe kjo varet shumë se a ia dalim që të arrijmë një marrëveshje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, një marrëveshje paqeje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është baza për çdo përafrim të mëtejshëm me Bashkimin Evropian”, përsëriti kancelari i Austrisë, duke shprehur mbështetjen e tij për përpjekjet e Presidentit Thaçi dhe Presidentit serb Vuçiq, për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme.

Kosovo Österreich Kanzler Sebastian Kurz Pressekonferenz mit Präsident des Kosovo Hashim Thaci (Office President of Kosovo)

“Unë e falënderoj Presidentin Thaçi dhe Presidentin Vuciq për përpjekjet për arritjen e një marrëveshje dhe i lus të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i mbështesin këto përpjekje, sepse ky është hapi i nevojshëm drejt perspektivës evropiane. Pra, pa një marrëveshje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk do të jetë e mundshme që të ketë bashkëjetesë paqësore e stabilitet në rajon dhe as perspektivë evropiane. Prandaj i besoj shumë përpjekjeve dhe angazhimit që po bëhen këtu dhe shpresoj që të na çojë në një përfundim pozitiv”, tha Sebastian Kurz.

Ushtria nuk duhet të shkaktojë destabilizim në rajon

Kreu i qeverisë federale austriake foli në Prishtinë edhe për përpjekjet e qeverisë së Kosovës për themelimin e ushtrisë. Ai tha se çdo veprim duhet të jetë i matur mirë dhe që nuk shkakton destabilizim në rajon. “Sa përket themelimit të ushtrisë së Kosovës, jemi shumë skeptik dhe presim që këtu të ketë një dialog të rregullt me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, sepse këtu ka nevojë për shumë kujdes dhe ne presim që në rajon të ndërmerren masa që mundësojnë më shumë stabilitet dhe jo masa që krijojnë destabilizim të rajonit”, tha Sebastian Kurz.

Thaçi nuk përmend korrigjimin e kufijve me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë konferencës së përbashkët për mediat me kancelarin e Austrisë nuk e përmendi korrigjimin e kufijve me Serbinë, por tha se një marrëveshje paqeje me Serbinë duhet arritur.

Kosovo Österreich Kanzler Sebastian Kurz Pressekonferenz mit Präsident des Kosovo Hashim Thaci (Office President of Kosovo)

“Kosova ka ndërtuar raporte fqinjësore të mira me të gjitha shtetet fqinje. Po mundohemi maksimalisht që të ndërtojmë raporte korrekte edhe me Serbinë. Fatkeqësisht, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përkundër këtij fakti, Kosova mbetet thellësisht e përkushtuar për dialogun me Serbinë, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe pajtimin, që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, tha Presidenti Thaçi.

Kancelari i Austrisë qëndroi në Kosovë pas një vizite që realizoi në Serbi. Edhe në Prishtinë si në Beograd, Kurz tha se Presidencë Austriake e BE-së ka pasur në qendër të punës Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të gjitha shtetet e Ballkanit të kenë një perspektivë të qartë evropiane. “Për ta arritur paqen dhe stabilitetin me një qëndrueshmëri afatgjatë dhe që perspektiva evropiane të bëhet realitet, një gjë është shumë e rëndësishme, një dialog i suksesshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe një përmbyllje e suksesshme e këtij dialogu”, tha kancelari i Austrisë Sebastian Kurz.

Burimi/DW
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *