Raporti i Bankës Botërore – Reagon Ahmetaj: Shqipëria, rritjen më të madhe të punësimit në rajon

Nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka reaguar mbi raportin e Bankës Botërore.

Ahmetaj tha se Shqipëria mbetet vendi me rritjen më të madhe të punësimit në rajon, rritjen më të lartë të pagave, pjesëmarrjen më të lartë të forcave të punës dhe papunësinë më të ulët në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu ai shtoi se raporti i Bankës Botërore ka konfirmuar sërish efektivitetin e politikave të ndërmarra gjatë vitit të shkuar në favor të nxitjes së punësimit në Shqipëri.

Në njoftim thuhet se raporti ka vlerësuar gjithashtu me nota pozitive pozitive sistemin progresiv të taksimit në Shqipëri, si një sistem që nxit formalitetin në tregun e punës dhe të ardhurat neto nga puna, duke favorizuar veçanërisht nivelet e ulëta të pagave.

Në raport thuhet se përgjatë gjysmës së dytë 2017, gjysmës së dytë 2018, në Ballkanin Perëndimor janë krijuar 68 mijë vende të reja pune, nga të cilat më shumë se gjysma, ose 38,700 vende të reja pune janë krijuar vetëm në Shqipëri. Po ashtu, rritja e punësimit në Shqipëri prej 3.3%, është tre herë më e lartë se ajo e rajonit me 1.1%. Shqipëria përfaqëson vendin me rritjen më të lartë të pagave prej 6.6%, dhe me diferencë të konsiderueshme nga vendi i dytë Maqedonia me vetëm 1.9% rritje apo Serbia në vend të tretë me 0.9%.

Në përfundim norma e punësimit në Shqipëri në nivelin 60% është më e larta në rajon. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka shënuar nivelin më të lartë të punësimit të femrave me 44%, nga 40% që është mesatarja e rajonit dhe papunësia ka rënë në 12.4% në 2018, që përbën normën më të ulët të papunësisë në rajon.

SCAN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *