Struktura që i tremb të gjithë: Ja kandidatët e mundshëm për SPAK

Gjyqtarët pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Prokurorët në Prokurorinë e Krimeve të Rënda janë kandidatët më potencialë për t’u bërë pjesë e Gjykatave Speciale dhe Prokurorisë së Posaçme, të projektuara për të luftuar krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, por sidomos çdo akuzë penale për pushtetarët dhe ish-pushtetarët shqiptarë që nga vitit 1991 deri në ditët e sotme.

Deri më tani, kandidatja e vetme e konfirmuar deri më sot për t’u bërë pjesë e Gjykatës Speciale është Nertina Kosova, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Ajo ka kaluar vetingun, ndërsa tani i duhet vetëm të plotësojë një deklaratë, ku të pranojë se heq dorë nga privatësia, për t’u bërë pjesë e Gjykatës Speciale, shkruan Shqiptarja.com.

Kandidat mund të ishte edhe Dritan Hallunaj, por ky i fundit u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ndërkaq, gjyqtarët Dhurata Haveri, Nure Dreni, Saida Dollani, Dhimitër Lara, Fehmi Petku, Sokol Binaj, Amarildo Laçi, Bardhyl Dhama, Ardit Mustafaj, Sandër Simoni, Gurali Brahimllari, Idriz Mulkurti etj., mund të bëhen pejsë e Gjykatave Speciale vetëm nëse do të kalojnë me sukses procesin e vetingut në të dy shkallët dhe nëse pranojnë që të heqin dorë nga privatësia.

Kurse prokurorët e Krimeve të Rënda Dritan Prençi dhe Besnik Muçi, mund të bëhen pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit në të gjitha nivele. Ata tani vetëm duhet që të firmosin deklaratën për hequr dorë nga privatësia. Kandidatë mund të ishin edhe prokurorët Bujar Sheshi dhe Gentian Osmani, por këtë dy të fundit janë zgjedhur me votim nga të gjitha prokurorët si anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organ i cili do të zgjedhë prokurorët e posaçëm. Nëse do të kalojnë vetingun, kandidatë potencialë për Prokurorinë e Posaçme do të jenë edhe Donika Prela, Elisabeta Imeraj, Artan Bajrami, Besim Hajdarmataj, Arenc Çela, Olsian Çela, Behar Dibra, Njazi Seferi, Ened Nakuçi, Përparim Kulluri, Doloreza Musabelliu, Eugen Beci, Klodian Braho, Edvin Kondili, Blerim Tominaj, Vladimir Mara, Manjola Kajana, Pranvera Hoxha dhe Sonila Muhametaj.

Për t’u bërë pjesë e SPAK-ut, gjyqtarët dhe prokurorët e Krimeve të Rënda duhet të plotësojnë dy kushte. Kushti i parë konsiston kalimin me sukses të procesit të plotë të vetingut. Kushti i dytë parashikon që gjyqtari ose prokuroi, bashkë me familjarët dhe të afërmit e tyre, duhet të japin të gjithë pëlqimin, përmes një deklarate të firmosur, për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *