Categories Aktualitet

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mesazh falënderimi për punonjësit e Patrullës së Përgjithshme në DVP Korçë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mesazh falënderimi për punonjësit e Patrullës së Përgjithshme në DVP Korçë, të cilët, me guxim, profesionalizëm dhe ndjenjë të thellë humane, rrezikuan jetën duke u futur mes flakëve dhe shpëtuan një të moshuar që ishte rrethuar nga zjarri dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej, në një lagje periferike të Korçës.

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda:

Të nderuar kolegë, Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari,

Ndihem thellësisht i emocionuar dhe krenar për guximin, sakrificën dhe humanizmin tuaj. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi, rrezikuat jetën për të shpëtuar një qytetar të moshuar, i cili ishte rrethuar nga flakët dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej.

Ky akt fisnik tregon më së miri se të jesh pjesë e Policisë së Shtetit është shumë më tepër se një detyrë, është një mision i shenjtë në mbrojtje të jetës.
Për ne, shërbimi ndaj qytetarëve nuk është thjesht një përgjegjësi institucionale, por një thirrje e përditshme për të qenë pranë tyre, sidomos në momentet më të vështira.

Ju falënderoj nga zemra për shembullin e jashtëzakonshëm që dhatë dhe për nderin që i bëtë uniformës sonë.
Krenar për ju dhe për të gjithë efektivët e Policisë që e nderojnë Policinë e Shtetit me veprime që frymëzojnë dhe rrisin besimin e qytetarëve tek Policia.

Suksese në përmbushjen e misionit tonë, sa të vështirë, aq edhe fisnik!

Drejtues Madhor Ilir Proda
Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Rreth Autorit

Më Shumë Nga Autori

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *