Zjarret në Qarkun e Korçës nën kontroll – Situata paraqitet e qetë
Korçë, 28 Korrik 2025 – Ora 20:30
Pas disa ditësh përballje me vatra aktive zjarri në disa zona të Qarkut të Korçës, autoritetet lokale njoftojnë se situata është vendosur nën kontroll të plotë.
Në Parkun Kombëtar të Prespës, në territorin e Bashkisë Pustec, aktualisht nuk ka vatra aktive. Territori paraqitet i qetë, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë me monitorimin në terren për të garantuar stabilitetin dhe për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.
Po ashtu, janë shuar të gjitha vatrat e zjarrit edhe në zonat e tjera të qarkut. Forcat zjarrfikëse dhe të emergjencës civile mbeten në gatishmëri të plotë dhe vijojnë patrullimet për çdo eventualitet.
Prefektura e Qarkut Korçë vlerëson angazhimin dhe koordinimin e të gjitha strukturave përkatëse, duke falënderuar njëkohësisht edhe qytetarët për bashkëpunimin dhe kujdesin e treguar në këtë situatë të ndjeshme.