Në qytetin e Pogradecit ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike dy ditët e fundit. Në datën 15 tetor kanë mbetur pa energji elektrike për rreth 5 orë lagjet numër 1, 2, 4 dhe 5.
Ndërsa në datën 16 tetor banorët e njësisë administrative Buçimas si dhe banorët e lagjeve 1 dhe 4 kanë pasur shkëputje të energjisë në fashën orare 8:30 deri më 12:30. Për rreth dy orë kjo shkëputje ka prekur fshatrat nga Pojska deri në Lin.
Burime pranë OSHEE, Pogradec bëjnë me dije se ndërprerja e energjisë elektrike në një pjesë të konsiderueshme të qytetit të Pogradecit ka qenë si pasojë e punimeve në stacionin e ri elektrik të Pogradecit i cili ka një vlerë prej 3 milion eurosh dhe furnizon me energji gjithë qytetin. Për arsye të sigurisë së punonjësve të OSHEE, është ndërmarrë kjo masë sigurie, pra stakimi i disa prej fiderave të qytetit.
Këtë të mërkurë u mbyll dhe pjesa kryesore e punimeve dhe sipas të njëjtit burim nuk do të ketë më shkëputje të tjera të energjisë elektrike. Mungesa e energjisë kufizoi në shërbim shumë prej bizneseve në qytet si dhe shumë familje që banojnë lagjet e prekura nga kjo shkëputje.