Categories Aktualitet Politikë

Marrëveshje me 4 bashki në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë, Manastirliu: Kapitull i ri në kuadër të decentralizimit, synojmë përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies

Marrëveshje me 4 bashki në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë, Manastirliu: Kapitull i ri në kuadër të decentralizimit, synojmë përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies

Tiranë, 22 tetor – Në kuadër të procesit të decentralizimit, u nënshkruan sot marrëveshjet në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë, në një ceremoni të organizuar nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në ambientet e Kryeministrisë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, nënshkroi marrëveshjen e rëndësishme për decentralizimin e funksioneve në arsimin parauniversitar me kryetarët e katër bashkive, Benet Beci i bashkisë Shkodër, Ervin Demo i Bashkisë Berat, Erion Isai i Bashkisë Kolonjë dhe Josif Gorrea i Bashkisë Divjakë.
Marrëveshjet për decentralizimin e funksioneve nga niveli qendror në nivelin vendor u nënshkruan edhe në fushën e shëndetësisë dhe bujqësisë nga Ministrat përgjegjës, Albana Koçiu dhe Anila Denaj.

Ministrja Manastirliu u shpreh se ky është një kapitull i ri për zgjerimin e kompetencave të bashkive në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit në vend.

“Ne tashmë i çelim rrugën një tjetër kapitulli, pilotimit të zgjerimit të funksioneve aktuale të bashkive, ku më shumë kompetenca dhe funksione i delegohen bashkive për të arritur më shumë rezultate në fusha specifike, për të arritur më shumë cilësi në shërbimet arsimore dhe për të pasur edhe më shumë garanci që shkollat të forcojnë cilësinë e duhur të mësimdhënies, dhe burimet tona njerëzore të jenë sa më shumë të kualifikuara, falë edhe një syri tjetër që do t’i monitorojë në territor, që janë përfaqësuesit e pushtetit lokal,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se marrëveshja synon të përmirësojë menaxhimin e arsimit parauniversitar.

“Ne synojmë më shumë cilësi në arsim, procese edhe më të përparuara të mësimdhënies. Synojmë të kemi inspektime më të shpeshta sa i përket programeve edukative. Synojmë të kemi edhe më shumë shkolla komunitare, më shumë investime sa i përket proceseve mësimore, por edhe më shumë investime sa i përket infrastrukturës shkollore. Në funksion të këtyre objektivave që kemi vendosur për të forcuar bërthamën e arsimit, që është shkolla, ne do të mundemi që këtë pilotim që po bëjmë në katër bashki ta shtrijmë edhe në më shumë bashki, pra ta bëjmë operacionale në të gjitha bashkitë e vendit. Ky është qëllimi.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Projekti pilot në Shkodër, Berat, Divjakë dhe Kolonjë synon të testojë modele të reja të decentralizimit dhe të riorganizimit të shërbimeve arsimore.

““Ne po shohim përpara drejt një mundësie të një decentralizimi edhe më të madh për të çuar edhe më shumë funksione dhe më pranë njerëzve duke pasur bashki që mund ti bëjnë këto çështje por këto janë hapa që do të bëhen në mënyrë të matur dhe duke i vlerësuar ndaj është menduar që kjo të bëhet ndërmjet një procesi pilotimi në tre fusha specifike ku bashkitë mund të bëjnë më shumë në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë për një afat 1 vjeçar. Pjesëmarrës në pilotim janë 4 bashki në madhësi dhe shpërndarje gjeografike të ndryshme si dhe sfida komplekse në fushë e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë Shkodër, Berat Kolonjë dhe Divjakë”, tha Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.
Marrëveshjet e firmosura sot në fushën e asrimit, shëndetësisë dhe bujqësisë janë një tjetër hap përpara në kuadër të reformës së decentralizimit të kompetencave drejt pushtetit vendor.

About The Author

More From Author

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *