Janë përkujtuar në qytetin e Korçës 640 ushtarët francezë të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore. Në ceremoninë e organizuar në varrezat e francezëve kanë marrë pjesë personalitete franceze, gjermane, greke dhe shqiptare.
Homazhe në varrezat e francezëve
Përkujtohen 640 ushtarët e rënë gjatë Luftës së Parë Botërore
Në një ceremoni solemne mbajtur në varrezat e ushtarëve francezë në qytetin e Korçës, u nderuan 640 ushtarët francezë që humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore në Gadishullin Ballkanik. Ky akt kujtimi për ata që dhanë jetën për Francën, u organizua nga Ambasada Franceze në Shqipëri dhe morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë, përfshirë ambasadoren franceze, ambasadorin gjerman zyrtarë lokalë, anëtarë të Aleancës Franceze dhe qytetarë të shumtë të Korçës.
Sinkron Catherine Suard, Ambasadore e Francës në Shqipëri
“Në këtë rajon të Korçës trupat franceze kishin mision të dyfishtë, të mbronin krahun perëndimor të ushtrisë së lindjes e cila, përqëndronte përpjekjet e saj kryesore nga Selaniku dhe të izolonin Greqinë nga fuqitë qendrore. Në këtë histori ushtarake do të fut edhe një histori tjetër, atë të Republikës Autonome të Korçës, e cila do të mbështetej nga ushtarakët francezë. Nëse kjo përvojë politike ishte kalimtare, ajo mbetet një nga aktet e lindjes së Shqipërisë moderne dhe kremtimi i miqësisë së thellë që bashkon dy vendet tona, siç dëshmohet nga angazhimi ynë aktual për të zhvilluar bashkëpunimin tonë këtu në Korçë, në veçanti projekti për rihapjen e Liceut Francez”.
Gjatë ceremonisë, përkujtimi i ushtarëve të rënë u shoqërua me vendosjen e kurorave dhe buqetave me lule në varret e ushtarëve, një simbol i respektit dhe mirënjohjes për sakrificat e tyre. Ceremonia përmbylli një ditë të mbushur me nderim dhe reflektim për marrëdhëniet historike mes Francës dhe Shqipërisë, si dhe për përpjekjet e përbashkëta gjatë një periudhe të rëndësishme të historisë së Evropës.
Categories
Uncategorized