Konflikt në bulevardin e Korçës përfundon me një të plagosur – Autori arrestohet
Një sherr mes dy personave mbrëmjen e djeshme në një nga bulevardet kryesore të qytetit të Korçës ka përfunduar me dhunë fizike dhe plagosjen e rëndë të një qytetari.
Sipas informacioneve paraprake, pas një debati verbal, konflikti ka agravuar, ku njëri prej personave ka goditur me grushte në fytyrë kundërshtarin e tij, duke i shkaktuar dëmtime serioze.
Autori është larguar menjëherë nga vendngjarja, por është identifikuar dhe ndaluar në kohë të shpejtë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë. Ai është arrestuar dhe po merret në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, i plagosuri është dërguar fillimisht në spitalin e Korçës, por për shkak të gjendjes së rëndë është transferuar në një spital në Tiranë për trajtim më të specializuar. Ai ka pësuar dëmtime të dukshme në fytyrë.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivet e konfliktit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.