Ndërron jetë në Spitalin e Traumës prifti ortodoks Kristaq Viso – U rrëzua nga çatia e një kishe në Korçë
Prifti ortodoks Kristaq Viso ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, pas disa ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e një aksidenti të ndodhur më 13 maj në qytetin e Korçës.
Ngjarja ka ndodhur në orët e paradites te kesaj dite, kur 62-vjeçari po ndihmonte në riparimin e çatisë së Kishës së Shën Triadhës, e ndodhur në varrezat publike të qytetit. Gjatë punimeve, ai ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga lartësia, duke pësuar dëmtime të rënda trupore.
Sipas burimeve mjekësore, dëmtimi më i rëndë ishte në zonën e kokës, çka ka diktuar urgjencën për ta transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ai ndodhej në terapi intensive për disa ditë me radhë.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, prifti Kristaq Viso nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra. Ai shërbente prej vitesh si klerik në Kishën e Shën Thomait, në fshatin Çiflig të njësisë administrative Voskop.
Lajmi i ndarjes nga jeta të klerikut ka sjellë pikëllim në komunitetin ortodoks të zonës, ku ai njihej për përkushtimin dhe shërbesat e tij fetare.