Nënkalimet e ndërtuara përgjatë segmentit Mëmëlisht-Lin, të menduara për të garantuar kalimin e sigurt të banorëve nga njëra anë e rrugës në tjetrën, janë kthyer në një problem të madh. Ato nuk po përdoren për qëllimin e tyre, por janë shndërruar në tualete publike dhe kosh mbeturinash.
Në këto nënkalime, ajo që të bie menjëherë në sy janë papastërtitë, fekalet, dhe era e rëndë që shpesh i bën të papërballueshme. Banorët e zonës kanë ndaluar së përdoruri këto nënkalime, duke zgjedhur rrugë më të pasigurta për të kaluar rrugën, çka përbën një tjetër rrezik.
Situata kërkon vëmendjen e menjëhershme të pushtetit lokal, i cili duhet të marrë masa për pastrimin dhe mirëmbajtjen e këtyre nënkalimeve. Njëkohësisht, edhe banorët duhet të tregohen më të përgjegjshëm për ruajtjen e higjienës dhe qëllimit të tyre fillestar.