Shkarkohet drejtori i burgut të Drenovës dhe shefi i policisë
Burime të siguruara bëjnë me dije se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur të shkarkojë nga detyra drejtorin e burgut të Drenovës, Fatjon Fasho.
Sipas të njëjtave burime, shkarkimi mendohet të jetë marrë pas gjetjes së një telefoni celular në qelinë e të dënuarit Laert Haxhiu, gjatë një kontrolli të befasishëm të kryer pak ditë më parë.
Në një komunikim telefonik me vetë drejtorin Fasho, ai është shprehur se nuk është njoftuar zyrtarisht për shkarkimin, duke shtuar se lajmin e ka mësuar nga mediat ndërsa në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Drenovë nuk ka mbërritur ende asnjë shkresë zyrtare.
Së bashku me Fashon, burimet bëjnë me dije se është shkarkuar edhe Sokol Kacoli, shefi i policisë së burgut.
Shkarkimet pritet të zyrtarizohen në ditët në vijim, ndërsa situata në burgun e Drenovës mbetet në vëzhgim të fortë nga strukturat qëndrore.