Punësimi mbetet sfidë e vazhdueshme në shoqërinë shqiptare, përfshirë edhe qytetin e Pogradecit, si për personat e diplomuar ashtu edhe për ata që nuk kanë përfunduar arsimin universitar. Qeveria shqiptare po fokusohet në formimin profesional, duke e parë si domosdoshmëri në tregun e punës. Për këtë arsye, Zyra e Punës në Pogradec dhe shkolla profesionale “Enver Qiraxhi” ofrojnë kurse profesionale falas, për të gjithë të papunët e regjistruar.
Gjatë muajve shtator dhe tetor, është vënë re një rritje e interesit për këto kurse të hapura. Sipas burimeve nga Zyra e Punës, 67 persona u përfshinë në kurset e ndryshme, nga të cilët 24 janë gra dhe 43 burra.
Kursi i instalimeve elektrike dhe servis xhenerik për automjete u zhvillua gjatë muajit shtator, ndërsa në tetor, pjesëmarrësit u trajnuan në teknologji informacioni (IT) dhe kuzhinë. Ndërkohë, në nëntor, po zhvillohet kursi i parukerisë. Burimet bëjnë me dije se pjesëmarrësit i përkasin kryesisht grupmoshës 19-39 vjeçare, por nuk mungojnë as aplikantë mbi 50 vjeç. Shumica janë përfitues të ndihmës ekonomike, me synimin për t’u aftësuar dhe integruar më pas në tregun e punës.
Drejtori i Shkollës Profesionale “Enver Qiraxhi”, Artan Temo, thekson se ka interes të shtuar për të ndjekur kurset, veçanërisht në tri fushat kryesore të formimit.
Temo bën të ditur se shumë shpejt, ambientet e shkollës do të modernizohen për të përmirësuar cilësinë e formimit profesional. Gjithashtu, ai njofton se së shpejti do të nisë kursi i ri “Udhëtim drejt Punësimit”, që synon të ndihmojë personat që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe nuk kanë arsim të mjaftueshëm për t’u punësuar. Kjo nismë pritet të lehtësojë hyrjen e tyre në tregun e punës, duke ofruar aftësi të reja profesionale.