Tri vjedhje brenda pak orësh, “skifterat” rikthehen në juglindje
Zona juglindore e vendit është përballur me një seri vjedhjesh brenda pak orësh, duke rritur ndjeshëm shqetësimin e banorëve. Në Komisariatin e Policisë Korçë janë raportuar tri raste të ndodhura në Voskopojë dhe në qytetin e Korçës.
Shtetasi A. K. ka kallëzuar se në banesën e tij në fshatin Voskopojë, gjatë mungesës së tij, persona të paidentifikuar kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme parash. Ndërkohë, në lagjet nr. 15 dhe nr. 17 të Korçës, shtetasit M. F. dhe S. R. raportuan vjedhjen e parave dhe bizhuterive nga banesat e tyre.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
Banorët e zonës janë të shqetësuar për situatën dhe kërkojnë intensifikimin e masave nga ana e forcave të rendit për të parandaluar raste të tjera të ngjashme. Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të bashkëpunojnë në raportimin e çdo lëvizjeje të dyshimtë ne qendrat e tyre te banimit.