Zbardhet krimi i rëndë në Pogradec – Vrau gruan me thikë dhe i dogji banesën, arrestohet 31-vjeçari
Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Pogradecit më 28 korrik, kur një 52-vjeçare u gjet e pajetë në banesën e saj të përfshirë nga flakët. Fillimisht u dyshua se shkak i vdekjes ishte asfiksia nga zjarri, por hetimet e shpejta dhe profesionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, zbuluan se bëhej fjalë për një vrasje të rëndë me motiv të dyshuar pasionant.
Nga këqyrja e trupit të viktimës, 52-vjeçares K. T., u konstatuan dëmtime të shkaktuara nga një mjet prerës (thikë), duke përjashtuar mundësinë që vdekja të kishte ardhur nga zjarri.
Hetimet e mëtejshme, përfshirë analizimin e pamjeve filmike dhe provave të tjera, çuan në identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit I. S., 31 vjeç, banues në Pogradec. Ai dyshohet se kishte një lidhje intime trevjeçare me viktimën dhe, në orët e para të mëngjesit, e ka goditur me thikë në banesën e saj, më pas i ka vënë zjarrin shtëpisë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes rreth orës 05:00.
Pas finalizimit të veprimeve hetimore, 31-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për vijimin e hetimeve.
Policia dhe Prokuroria e Korçës vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.