Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një banesë kolektive në lagjen nr. 4 të qytetit të Pogradecit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ndër shtëpitë e prekura ishte edhe ajo e familjes Baçi, me katër anëtarë, dy prej të cilëve janë fëmijë të vegjël.
Esma Baçi, një nga anëtarët e familjes, tregon momentet e tmerrshme që përjetuan atë ditë fatkeqe.
E prekur nga kjo situatë Esmaja tregon se Flakët fshinë çdo kujtim, fotot dhe gjithçka që ata kanë ndërtuar me mund ndër vite teksa përmend vështirësitë ekonomike që i rëndojnë më shumë në këtë situatë.
Shkaku i mos shuarjes së zjarrit në kohë, sipas saj, ishte rruga e ngushtë që pengoi hyrjen e zjarrfikëses pranë banesës.
Megjithatë, ekipet zjarrfikëse arritën të izolonin flakët, duke parandaluar kthimin e ngjarjes në një tragjedi më të madhe.
Një ditë pas ngjarjes, kryetari i bashkisë vizitoi vendin dhe inspektoi dëmet. Ai u premtoi familjes Baçi rikonstruksionin e plotë të banesës së tyre.
Deri në përfundimin e punimeve, familja është vendosur në një apartament me qira, të mundësuar nga bashkia.
Ndërkohë, familja Baçi shpreson të rikthehet sa më parë në shtëpinë e rindërtuar.