“Artistët e vegjël” ishte koncerti i cili ngjiti në skenë këtë të premte disa prej fëmijëve më të talentuar të qytetit të Pogradecit. Fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët janë pjesë e kurseve të kantos nën drejtimin e artistes Luiza Mara, performuan këngë të huaja dhe shqiptare duke merituar duartrokitjet e publikut me vokalet e tyre. Për Luiza Marën ky ishte një koncert që kishte si qëllim promovimin e talenteve të reja në mënyrë që ata një ditë të ngjiten në skena akoma më të mëdha.
Artistët e vegjël të emocionuar u shprehën se talentin e tyre e kanë zbuluar duke kënduar për familjarët e tyre dhe se aspirojnë që një ditë të bëhen këngëtarë të mëdhenj si idhujt e tyre.
Pjesë e koncertit ishin interpretimet në piano si dhe pjesë kërcimi me anë të të cilave ata treguan se Pogradeci ka talente të shumtë.