Iluzionisti dhe prestigjatori Edmond Murraj solli një performancë magjike në kinemanë e qytetit të Pogradecit për dy netë me radhë, duke mahnitur publikun me një spektakël të mbushur me numra shpejtësie dhe iluzione të jashtëzakonshme. Murraj, i cili ushtron profesionin e tij në Angli, ndau emocionet e tij për të performuar për publikun shqiptar, një eksperiencë unike për të dhe për audiencën.
“Çdo magji ka një sekret,” shprehet Murraj, duke treguar se, për fat të keq, arti i magjisë dhe iluzionit është ende shumë pak i zhvilluar në Shqipëri. Spektakli tërhoqi veçanërisht vëmendjen e fëmijëve, të cilët, plot entuziazëm, u ngjitën në skenë për t’u bërë pjesë e disa numrave, duke përjetuar nga afër emocionet e iluzionit.
Kjo shfaqje e rrallë dhe e veçantë në Pogradec, solli një tjetër dimension artistik dhe la një përshtypje të paharrueshme tek të gjithë të pranishmit, të cilët mezi presin për performanca të tjera të këtij lloji në të ardhmen.