Pogradeci i Volejbollit për Femra, Risi dhe Forca për Fazen e Dytë
Ekipi i volejbollit për femra të Pogradecit po përgatitet të hyjë në fazën e dytë të sezonit me një formacion krejtësisht të përforcuar. Pas rikthimit të pogradecares së mirënjohur, Paola Gjata, burime të sigurta pranë TV Sot7 konfirmojnë një tjetër goditje të bujshme për ekipin: liqenoret kanë firmosur me volejbollisten maqedonase Ana Fasuleva.
Gjata dhe Fasuleva, dy lojtare me eksperiencë të pasur, janë të njohura për bashkëpunimin e tyre në të kaluarën, kur kanë qenë pjesë e ekipit të Skënderbeut. Gjatë asaj periudhe, ato kanë fituar një numër të konsiderueshëm trofesh, duke treguar një formë të shkëlqyer. Së fundmi, të dyja kanë përfaqësuar me sukses ekipin e tyre në kampionatin boshnjak, duke rritur më tej nivelin e lojës së tyre.
Me rikthimin e Gjatës në pozicionin tre dhe ardhjen e Fasulevës në pozicionin katër, trajneri Besnik Lisha ka në dorë një ekip të fuqishëm, i cili pritet të jetë shumë më kompetitiv gjatë fazës së dytë të sezonit. Bashkëpunimi mes këtyre dy lojtareve pritet të jetë një aset i rëndësishëm për Pogradecin, që synon të konsolidojë pozitat dhe të luftojë për objektiva të lartë në kampionat.
Rikonstruksioni i ekipit, i mbështetur nga drejtuesit dhe mbështetësit lokalë, sinjalizon një ambicie të re për volejbollin e Pogradecit, që kërkon të rikthehet në majat e suksesit. Faza e dytë e sezonit pritet të sjellë përballje interesante, ku liqenoret do të kenë mundësinë të tregojnë potencialin e tyre të plotë.