Skënderbeu nuk ka më kohë për të humbur, por duhet të rikthehet te fitorja që në ndeshjen e radhës ndaj Dinamos në shtëpi. Dy barazime dhe dy humbje në ndeshjet e fundit duket se janë tepër për bardhekuqtë, që vijojnë të mbeten në fund të klasifikimit.
Ndaj, në kushte të tilla koha për reagim është ndeshja e radhës në shtëpi përballë Dinamos. Kjo vjen edhe si rezultat i një situate aspak të zakontë që ka të bëjë me ndeshjet brenda shtëpisë. Skënderbeu ka mundur të marrë vetëm pesë pikë në shtatë ndeshje brenda fushës së vet, duke e vënë në një pozicion jo fort të favorshëm.
Tri humbje në ndeshjet e luajtura në shtëpi rëndojnë te situata e korçarëve, ndaj edhe për këtë, bardhekuqtë kërkojnë reagimin ndaj Dinamos.
Një ndeshje shtëpie, që do të duhet të interpretohet në mënyrën më të mirë të mundshme për të marrë tri pikët e radhës, që jo vetëm do të rikthenin besimin tek forca e grupit, por do të nxirrnin korçarët nga hendeku i vendeve të fundit në renditje.
Ky është objektivi kryesor që bardhekuqtë duket se i kanë vendosur vetes së tyre në këtë moment, duke u përqendruar maksimalisht në përgatitjen e ndeshjes së radhës, që pritet të jetë tejet delikate për Skënderbeun.
Periudha e pushimit të kampionatit duket se ka disa objektiva të tjera në kampin korçar. E para dhe që dihet është qetësimi psikologjik i lojtarëve, me qëllim që të jenë sa më të përqendruar në ndeshjen e radhës dhe përgatitja më e mirë e këtij takimi.
Por duket se një rëndësi të veçantë ka edhe rikuperimi i lojtarëve që janë ende në infermieri. Bëhet fjalë për tre pika të rëndësishme në mbrojtje mesfushë dhe sulm. Doka dhe Vangjeli janë dy mbrojtësit e krahut që po punojnë individualisht dhe trajneri të paktën njërin prej tyre e kërkon të rikuperuar për ndeshjen ndaj Dinamos.
Nga ana tjetër, e njëjta situatë vlen edhe për Jurin dhe Randin, që munguan në ndeshjen e fundit, por kanë dhënë sinjale të mira të rikuperimit nga problemet fizike. I fundit, por jo nga rëndësia, është Liridon Balaj, i cili prej tri javësh është jashtë grupit dhe po punohet për rikuperim të plotë. Lojtarët janë duke zhvilluar terapi për të kaluar problemet dhe vetëm të hënën do të shihet sesi do të jetë gjendja e tyre për ndeshjen kundër Dinamos.