Categories Sport

Sport/ Gërço braktis Skënderbeun

Duhej të ishte një moment entuziazmi te Skënderbeu, pas fitores së rëndësishme në kampionat me Bylisin. Ishte një trepikësh me shumë vlera ai që korçarët morën në Ballsh, që i jep frymëmarrje ekipi pas disa rezultatesh jo të mira. Por ka një çështje “Andrea Gërço” te Skënderbeu, që duket se do të jetë aktive për disa ditë, derisa klubi të marrë një vendim në lidhje me lojtarin në fjalë.

Situata pakëndshme ka ndodhur pak orë para nisjes së ekipit për në transfertën e Ballshit, ku korçarët fituan 0-1 me golin e Rashicës. Gërço ka braktisur grumbullimin pa njoftuar askënd dhe ka udhëtuar drejt Italisë për arsye familjare. Ajo që drejtuesit e Skënderbeut kërkojnë të dinë në këtë moment është arsyeja reale pse mbrojtësi i krahut e braktisi grumbullimin.

Dhe nëse bëhet fjalë për një arsye familjare të fortë, mund të ketë një lloj mirëkuptimi, por mënyra se si lojtari ka vendosur të largohet nuk është e pranueshme. Burime bëjnë me dije se Gërço ka qenë i gatshëm për ndeshjen ndaj Bylisit dhe në provat e formacionit gjatë javës ishte llogaritur titullar nga ana e stafit bardhekuq. Gjithçka ndryshoi në momentet e fundit, në një kohë shumë të shkurtër, me mbrojtësin që telefonoi drejtuesit dhe stafin teknik për lëvizjen e tij të beftë.

Ky veprim i ka lënë të shokuar korçarët, të cilët nuk kanë pasur të tilla eksperienca në të kaluarën. Trajneri Ivan Gvozdenoviç me shpejtësi bëri lëvizje në formacion, pasi i gjithë fokusi i tij ishte te sfida me Bylisin, që u kalua me sukses.

Në këtë situatë, klubi ka marrë kohë para se të vendosë çfarë do të bëjë me lojtarin. Pritet të ketë së pari një qartësim të situatës, ku drejtuesit e Skënderbeut duan të mësojnë nga vetë Gërço se çfarë ka ndodhur dhe shkakun që e çoi në një veprim të tillë. Më pas do të mësohet masa që do të marrë klub, pasi për momentin nuk bëhet fjalë për gjobë apo për pezullim të lojtarit.

Duhet theksuar se situata do të analizohet me qetësi për të marrë një vendim të drejtë, por masa më e lehtë në këtë rast është gjoba. Në ndonjë rast që ka pasur shkelje të rënda ka pasur edhe pezullim lojtarësh. Gërço mund të rrezikojë edhe pezullimin pa afat dhe kalimin tek ekipet e moshave për stërvitje. Ai ka edhe dy vite kontratë me Skënderbeun, ndaj dhe korçarët duket se nuk kanë ndërmend ta mbyllin atë për t’i dhënë mundësinë që të jetë futbollist i lirë në treg.

About The Author

More From Author

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *