Zbardhen prapaskena dhe detaje interesante rreth largimit të Andrea Gërços nga Skënderbeu dhe mungesës së tij për këto ditë në ekipin bardhekuq.
Tv Sot7 mëson nga burime të saj se futbollisti ka zgjedhur të largohet drejt Italisë për arsye sentimentale.
Të gjithë u habitën në fakt, kur mësuan se Gërço braktisi ekipin dhe shkoi në vendin fqinj. U tha fillimisht se lojtari i kishte komunikuar klubit vendimin e tij për çështje personale dhe tani zbulohet se ai ka vendosur të jetë pranë njeriut të zemrës.
Prandaj dhe është larguar pa dhënë asnjë shpjegim rreth largimit të tij, çka bëri që klubi të reagonte, duke marrë masë administrative për lojtarin që kishte shkelur kushtet e kontratës.
Gërço ka marrë gjobë, pasi ka thyer rregulloren e brendshme të klubit. Por asgjë nuk ka mbaruar këtu. Mbrojtësi, pasi është vënë në dijeni të kësaj mase, ka njoftuar klubin se po mendon seriozisht ta mbyllë karrierën e tij të futbollit të luajtur për t’iu përkushtuar familjes dhe fushave të tjera të jetës.
Ky qëndrim i ka lënë të çuditur drejtuesit e klubit bardhekuq. Habia vjen edhe për faktin se drejtuesit e Skënderbeut kanë tentuar të bindin lojtarin të rikthehet dhe të rishikohet gjithçka sa i përket masës paraprake. Megjithatë, të njëjtat burime bëjnë me se Gërço është i vendosur për ta shmangur diçka të tillë. Ai duket i prerë për të mbyllur gjithçka me futbollin, pasi sipas tij nuk ndjehet mirë në këtë fushë.
Ai do që t’i përkushtohet familjes dhe të hyjë në fushën e biznesit, ku e sheh veten më komod. Kjo është çudia e radhës në kampin bardhekuq sa i përket lojtarit në fjalë, që ka krijuar një situatë të panjohur më parë. Pritet të ketë komunikime të tjera mes palëve për të dalë në një konkluzion final rreth të ardhmes së lojtarit, prej ditësh çështje në kampin bardhekuq. Koha do të tregojë çfarë do të ndodhë me këtë lojtar.