Në Bashkinë Korçë, 30 familje kanë përfituar këtë vit nga programi i strehimit social “Subvencionimi i interesave të kredisë”. Ky program synon të ndihmojë familjet dhe individët për blerjen e banesave të para, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e tyre të jetesës.
Drejtoresha e Drejtorisë së Strehimit Social dhe Menaxhimit të Banesave Sociale, Mirela Balli, theksoi se programi ka pasur një zbatim të suksesshëm, por ende ka kuota të lira për ata që plotësojnë kriteret.
Sipas Ballit, ky program u drejtohet personave që nuk mund të përballojnë ofertat e tregut të lirë të banesave apo kreditë hipotekore. Përfituesit kryesorë janë çiftet e reja, gratë kryefamiljare, si dhe individët ose familjet nga komunitetet rom dhe egjiptian, duke ofruar një mundësi për të siguruar një strehim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm.