Reshje dëbore në juglindje të vendit: Aksion për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve
Në zonën juglindore të vendit kanë nisur reshjet e para të dëborës, duke prekur veçanërisht akset Boboshticë-Dardhë dhe Zëmblak-dogana Goricë. Autoritetet kanë ndërhyrë menjëherë për pastrimin e rrugëve dhe kriposjen e tyre, për të siguruar lëvizjen e lirë dhe pa pengesa.
Aktualisht, qarkullimi në qarkun e Korçës vijon normalisht, ndërsa Autoriteti Rrugor Qendër-Lindje dhe Policia e Qarkullimit Rrugor po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet do të vazhdojnë me intensitet deri mesatar gjatë orëve të ardhshme dhe gjatë natës. Në zonat mbi kuotën 500 metra mbi nivelin e detit, reshjet priten të jenë në formën e dëborës.
Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit në zonat me prezencë dëbore dhe të pajisen me goma dimërore për të shmangur çdo rrezik.