Rikthehen reshjet e dëborës në juglindje të vendit
Në juglindje të Shqipërisë, reshjet e dëborës janë rikthyer me intensitet, duke krijuar një peizazh të bardhë sidomos në zonat mbi 600 metra mbi nivelin e detit. Trashësia e dëborës në këto lartësi ka arritur nga 5 deri në 10 centimetra.
Fshatrat turistike si Voskopoja, Dardha, Vithkuqi, dhe ato të zonave të Kolonjës, Pogradecit dhe Devollit janë mbuluar nga dëbora, duke sjellë një atmosferë magjike dimërore. Për turistët, dëbora në Voskopojë ka qenë një kënaqësi më vete, duke e kthyer këtë destinacion në një atraksion edhe më të veçantë gjatë kësaj stine.
Anton Falo, një nga operatorët turistikë të Voskopojës, thekson se fshati i gurtë bëhet akoma më i bukur në dimër kur vishet me dëborë.
Ndërkohë, burime zyrtare bëjnë të ditur se qarkullimi në të gjitha akset rrugore të zonave turistike është i kalueshëm dhe nuk ka pasur probleme serioze.
Megjithatë, reshjet e dëborës kanë sjellë disa sfida, kryesisht përsa i përket furnizimit me energji elektrike në disa fshatra të zonave malore, ku autoritetet po punojnë për të zgjidhur situatën.