Trafik i rënduar në Pogradec për shkak të fluksit të vizitorëve gjatë festave
Pogradeci po përballet me trafik të rënduar në disa prej akseve kryesore të qytetit, përfshirë “Rrugën Kajo Karafili”, “Rrugën Rinia” dhe Unazën e qytetit. Mbingarkesa e automjeteve ka krijuar vonesa në qarkullim, duke u kthyer në një pengesë për drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët.
Sipas Policisë së Qytetit, shkaqet e këtij trafiku janë fluksi i shtuar i njerëzve që kanë zgjedhur Pogradecin si destinacion për të pushuar dhe për të kaluar festat e fundvitit. Uniformat Blu të qytetit të Pogradecit janë në gatishmëri të plotë, duke ndihmuar në menaxhimin e trafikut për të siguruar lëvizjen e lirë të automjeteve.
Qyteti, i njohur për atmosferën festive, ka tërhequr këtë vit një numër të madh vizitorësh, duke reflektuar rëndësinë e tij si një destinacion turistik për fundvitin. Ndërkohë, autoritetet lokale apelojnë për durim dhe respektim të rregullave të qarkullimit nga ana e drejtuesve të mjeteve.